Pas refuzimit të Zoran Zaev nga Gjeorge Ivanov, për krijimin e qeverisë, ka reaguar edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Atë që është cilësuar si “Platforma e Tiranës”, ai e quan  një dakordësim midis partive shqiptare në Maqedoni, përpara bisedimeve në Tiranë, në një mbledhje të thirrur nga vetë ai.

Dakordësimi I Partive Shqiptare në Maqedoni, sipas Ahmetit nuk kishte si qëllim ndarjen e Maqedonisë, por vetëm programet zgjedhore të garuesve shqiptarë në Maqedoni.

Ali Ahmeti fton të gjitha partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësive, ndërsa qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë. Kreu I BDI thotë se zgjidhja duhet të gjendet duke besuar tek e vërteta dhe jo trillimet.

Presidenti maqedonas Ivanov e refuzoi mandatimin e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, megjithëse ai i kishte 67 firmat për formimin e qeverisë, përfshirë edhe ato të shqiptarëve.

Duke dënuar platformën e shqiptarëve që e ka quajtur të importuar nga jashtë, ai tha se ndërgjegjja nuk i lejonte t’i jepte mandat dikujt që rëndon sovranitetin e Maqedonisë.

Zaev e akuzon presidentin për grusht shteti dhe thotë se duhet qetësi, pasi ekspertët do të japin zgjidhje për këtë krizë të prodhuar nga presidenti, që sipas tij, është në shërbim të Nikolla Gruevskit.

Top Channel