Ndalet Real, Barça në krye

01/03/2017 00:00

Ronaldo & Co, dhuruan sërish një paraqitje të çmendur në shtëpi, ndaj ekipit modest të Las Palmas dhe arritën të mbyllin takimin me shifrat e barabarta 3-3.

Madrilenët kaluan në avantazh që në minutën e tetë me Isco, por vetëm 2 minuta më pas Las Palmas riktheu baraspeshën.

Menjëherë sapo fillon pjesa e dytë, Gareth Bale e tradhëtojnë nervat dhe pas faullit, shtyn me duar kundërshtarin, çka i kushton atij kartonin e kuq dhe vetëm dhjetë minuta më pas, Reali e shikon veten në disavantazh të dy golave.

U duk se madrilenët do të dilnin kokë-ulur nga “Santiago Bernabeo”, por Cristiano Ronaldo nuk e kishte thënë akoma fjalën e tij.

Portugezi shënon dy gola në 5 minutat e fundit të kohës së rregullt dhe barazon rezultatin, duke shmangur kështu turpin për ekipin e Real Madridit.

Pas kësaj jave, madrilenët dorëzojnë kreun te Barcelona, por gjithsesi kanë akoma edhe një ndeshje për të rikuperuar. Katalanasit arritën të mposhtin Sporting Gijonin, me rezultatin tenistik 6-1.

Mesi, Neymar, Suarez, Paco Alcaser dhe Rakitiç ishin autorë të golave për Barcelonën, e cila rikthehet pas shumë javëve, të kryesojë kampionatin me një pikë më shumë se Real Madrid.   

Top Channel