SHBA-Kore e Jugut nisin stërvitjet ushtarake, acarohet Veriu

01/03/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake, në një kohë kur tensionet ndërkoreane janë rritur nga testi raketor i 12 shkurtit nga Peniani, por edhe nga vrasja e Kim Jong nam, gjysmëvëllai i diktatorit koreano-verior.

“Shqiponja e vogël është emri i fazës së parë të manovrave vjetore, në të cilën përfshihen forcat tokësore, ajrore dhe detare të dy vendeve e që do të vazhdojë deri në fund të prillit.

Ndërsa “Zgjidhja Kyçe” do të jetë faza e dytë, që konsiston në një simulim sulmesh kompjuterike e që do të zgjasë deri më 13 mars. Bëhet fjalë për nisma që Veriu komunist i ka denoncuar gjithmonë si përgatitje për pushtim në dëm të tij. Edhe sot, Peniani zyrtar nuk ka vonuar të kritikojë manovrat.

Një zëdhënës i Komitetit të Paqes së Azisë së Paqësorit, që menaxhon marrëdhëniet me Seulin, ka deklaruar se programi bërthamor me qëllim vetëmbrojtjeje do të vazhdojë, përsa kohë SHBA dhe Korea e Jugut nuk do të vendosin të heqin dorë nga ambicjet e tyre.

Top Channel