Mësuesi akuzohet për ngacmim seksual

01/03/2017 00:00

Gjykata e Beratit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për drejtorin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Kozare, i arrestuar nga policia për veprën penale të “ngacmimit seksual”.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të përfshirjes në të të vajzave minoreve.

Prokurori, Artan Gripshi paraqiti para gjykates dëshmitë e tre nxënëseve të klasës së tetë, dhënë në prani të psikologes së shkollës dhe një oficeri policie, sipas të cilave mësuesi i lëndës së Gjeografisë dhe drejtori i shkollës, Ajaz Ajazi, tre muaj më parë i kishte prekur në pjesë të ndryshme të trupit.

Avokati mbrojtes kërkoi një masë më të lehtë arresti, gjë e cila u hodh poshtë nga gjykata. Arrestimi i 63-vjecarit Ajazi ka indinjuar familjarët e tij, të cilët janë shprehur se Ajazi njihet si mësues dhe drejtues shembullor me një karrierë të gjatë në arsim.

Vëllai i tij, Enver Ajazi shprehet se e gjithë kjo mund të jetë një sajesë e shkaktuar nga stafi pedagogjik.
Nga ana tjetër avokati mbrojtës, Agron Isufi tha se në rastin e dhënies së masës së sigurisë së klientit të tij është vënë re shkelje, pasi psikologia e shkollës rezulton të ketë qënë denoncuesja, kallzuesja dhe ka asistuar gjatë marrjes në pyetje.

Top Channel