Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka reaguar pas vendimit të presidentit Ivanov për të mos i dhënë mandatin për formimin e qeverisë, duke e akuzuar kreun e shtetit për rëndim të situatës politike në Maqedoni.

Në një konferencë për shtyp, Zaev ka deklaruar se Ivanov duhet ta tërheqë vendimin dhe t’ia japë mandatin, me argumentin se ai zotëron numrin e duhur të deputetëve.

“Ivanov, me vendimin për të mos e dhënë mandatin goditi shtetin. Ai thelloi edhe më shumë krizën, duke injoruar 67 nënshkrimet e deputetëve. Me këtë sjelle edhe një herë ai doli në mbrojtje të Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së”, ka thënë Zaev.

Ai ka theksuar se forca politike që drejton nuk do të lejojë që dikush të luajë me shtetin. “Koncepti të cilin e mbështetën shumica e qytetarëve është e ardhmja e Maqedonisë. Ju bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve”, ka vijuar Zaev.

Për kreun e opozitës maqedonase, e gjitha kjo që ndodh tani me regji të Gruevskit dhe Ivanov është konstatuar edhe më parë. “Presidenti duhet ta tërheqë këtë vendim dhe ta ndajë mandatin, sepse këtë e garanton Kushtetuta”, ka shtuar Zaev.

Top Channel