Kriza paszgjedhore në Maqedoni përshkallëzohet edhe më tej. Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ashtu siç paralajmëruan disa zëra në Shkup dhe jashtë tij, refuzoi t’i japë mandatimin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij.

“As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai.

Ai u ndal tek platforma e partive shqiptare, duke akuzuar sërish se kjo platformë është përgatitur nga një vend tjetër.

“Platforma e nxitur nga një shtet i huaj është një pengesë për mua që të mandatoj kreun e LSDM-së Zoran Zaev”, tha Ivanov.

Në fund ai ka dashur të qetësojë protestuesit maqedonas që kanë dalë në rrugë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

“Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, thotë Ivanov.

Zoran Zaev siguroi mbështetjen e 67 deputetëve, përfshirë këtu të BDI-së dhe partive të tjera shqiptare, pas përfundimit të afatit të Nikolla Gruevskit, që megjithëse fitoi zgjedhjet, nuk arriti të formojë mazhorancën në parlament.

Pas këtij vendimi të Presidentit maqedonas, vendi me gjasa do t’u drejtohet sërish kutive të votimit.

Top Channel