U dënua nga Disiplina, reagon Partizani

01/03/2017 00:00

Klubi i Partizanit ka reaguar menjëherë për dënimin e marrë ditën e sotme nga Komisioni i Disiplinës me 4 ndeshje pa tifozë për incidentet e ndodhura në ndeshjen ndaj Kukësit.

Nëpërmjet një komunikatë zyrtare, Partizani shpreh shqetësimin se FSHF, sipas tyre, po favorizon klube të caktuara në kampionat këtë sezon, duke vazhduar të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e kuq.

Në komunikate thuhet se të dyja dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, por ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se gjithçka ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes.

Komunikata e plotë

Klubi i Partizanit shpreh shqetësimin për favorizimet që FSHF po i bën ekipeve të caktuara në kampionat dhe vazhdon të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e Partizanit. Vendimi i Disiplinës është një tjetër sulm direkt i FSHF-së, pasi edhe pse prezymohet të jetë një organ gjyqësor i pavarur, minimalisht bazohet te relacionet e zyrtarëve të FSHF-së në atë ndeshje.
– Denoncuam menjëherë pas ndeshjes që grupimi i tifozëve të Partizanit u provokua me gurë që vinin nga jashtë stadiumit prej të cilëve u dëmtuan edhe disa prej tifozëve.
– Dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, çka u vu re qartë edhe në televizor, por edhe nga zyrtarët e FSHF. Ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe gjatë momentit që po goditeshin nga gurët që vërshonin, por edhe nga shkopinjtë e gomës së policisë. Ndërsa tifozeria vendese e kishte të pajustifikuar hedhjen e stolave në fushë.
– Në tribunën qëndore janë hedhur sende të forta, prej të cilave u goditën dy persona, njëri prej të cilëve u gjakos sipër vetulles. I radhitëm këto argumenta për të sqaruar opinionin se si Federata ka vendosur të dalë hapur, si një organ opozitar ndaj futbollit të drejte dhe garës së ndershme sportive.
E cilësojmë të palogjikshme që provokuesit dhe dhunuesit të gjobiten, ndërsa viktimat të dënohen me 4 ndeshje. Këto vendime maskaradë të Federatës, që merr guximin të cënojë në mënyrë të hapur garën për titullin kampion, thjesht na bën më të fortë. Partizani i garanton FSHF-së, se pavarësisht këtyre pengesave që na bën dhe favorizimeve ndaj rivalëve direkt, neve na bën më të fortë, më të egër në realizimin e objektivave, duke luajtur me ndershmëri. Gjithashtu, premtojmë se do marrim masa ndaj sulmeve tendencioze dhe burracake…

Top Channel