Rëra dhe zhavorri, “ari” i kinezëve

01/03/2017 00:00

Prej më shumë se dy dekadash, ekonomia kineze vazhdon të rritet fuqishëm, duke tejkaluar me radhë ekonomitë e tjera dhe sot renditet si e dyta më e madhe në botë, pas asaj të Shteteve të Bashkuara.

Falë reformave të ndërmarra nga qeveria komuniste në vend, kanë dalë nga varfëria miliona e miliona kinezë, por e gjitha kjo nuk ka mbërritur pa kosto.

Zhvillimi i ka dhënë një hov të madh edhe industrisë së ndërtimit në përmasa të papara ndonjëherë në vendin e madh aziatik dhe për ta kuptuar këta, mjafton të përmendet fakti që Kina në pak vite ka konsumuar më shumë rërë dhe zhavorr nga sa kanë bërë Shtetet e Bashkuara në një shekull të tërë.

Ishuj të shfarosur, lumenj të gërryer, brigje të detit të cunguara, rritje e erozionit dhe liqene të thatë. Kjo është panorama në shumë zona të Kinës ditët e sotme; kostoja reale e rritjesë së industrisë së ndërtimit.

Sot, gjysma e kinezëve jetojnë në qytet dhe shumë të tjerë dëshirojnë dhe përpiqen që të zhvendosen nga zonat rurale në ato urbane, çka do të thotë se edhe për disa vite të mira, ky fenomen do të vazhdojë.

Por problemi nuk është vetëm Kina. India, vendi i dytë me popullsinë më të madhe në botë ka trefishuar konsumin e rërës dhe zhavorrit që nga viti 2000 dhe ritmet e rritjes së këtij konsumi janë marramendëse.

Të gjitha këto, thonë ambientalistët po japin dhe do të japin pasoja akoma më të rënda në të ardhmen, duke u shoqëruar me fenomene natyrore ekstreme që vazhdimisht do të kërcënojnë njerëzimin.

Top Channel