Avokati Koci: Serbia nuk ka dëshmi, Haradinaj do të lirohet

01/03/2017 00:00

Gjykata franceze në Colmar pritet të marrë të enjten vendimin për lirimin apo ekstradimin në Serbi të udhëheqësit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës.

Në një deklaratë për “Telegrafin”, avokati i Haradinajt, Arianit Koci ka thënë se beson fuqishëm se Serbia nuk ka mundur të sigurojë “prova të reja”, siç pretendon. Koci shprehu gjithashtu besimin se nesër, gjykata franceze do të vendosë kundër ekstradimit të Haradinajt.

“Besoj fuqishëm se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të Haradinajt”, tha ai.

Avokati ka theksuar se procedura ekstraduese ka qenë shumë specifike, duke u nisur nga fakti që të gjithë udhëheqësit politikë serbë, prej momentit të ndalimit të Haradinajt janë deklaruar rreth rastit dhe janë munduar të ndikojnë në drejtësinë franceze. Një gjë e tillë, sipas Kocit nuk ndodh në botën demokratike.

“Unë si profesionist, deklarimet e Nikoliçit, Vuçiçit dhe Daçiçit i shoh si përpjekje të dëshpëruara të drejtuesve me mentalitet millosheviçian, për të krijuar një çështje penale aty ku nuk ekziston. Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në Tribunalin e Hagës. Çdo ditë e luftës së tij është hetuar me kujdes nga ana e prokurorëve të Hagës”, u shpreh Koci.

Ai gjithsesi nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e shtyrjes sërish të vendimit.

“Nëse gjykata e sheh të nevojshme, ajo mund ta shtyjë marrjen e vendimit të drejtë dhe të merituar, për një afat të caktuar kohor. Mendoj se nuk ka arsye ligjore, që masa e tanishme të vazhdohet edhe pas 2 marsit”, tha Koci.

Avokati Koci ka theksuar se, në rast se Gjykata e Colmarit vendos për lirimin e Haradinajt, ai do të mund të kthehet në Kosovë menjëherë pasi t’i dorëzohet dokumenti i udhëtimit, i cili i është konfiskuar përkohësisht nga organet përkatëse të Francës.

Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse në Francë më 4 janar të këtij viti, bazuar mbi një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, që e akuzon për krime lufte.

Top Channel