Mustafa i bindur: Ratifikimi i Demarkacionit do të bëhet

01/03/2017 00:00

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të ratifikohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

I sigurtë për këtë është kryeministri Isa Mustafa, i cili pas konferencës “Bizneset, promotore të zhvillimit”, që u organizua nga Agjencia kosovare për Përkrahje të Sipërmarrësve dhe Investimeve (KIESA), shtoi se vonimi i ratifikimit të tij shtyn liberalizimin e vizave.

“Ratifikimi s’duhet të dështojë, pasi bëhet fjalë për shtetin. Asnjë shtet nuk ka paraqitur problem dhe ne do ta bëjmë. Nuk jemi të interesuar që të zgjatet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa nuk e ka thënë me saktësi se kur do të dërgohet për ratifikim në Kuvend kjo marrëveshje, por përmendi disa procedura paraprake, deri te votimi nga përfaqësuesit e popullit.

“Do të diskutojmë të premten në mbledhjen e qeverisë, ku do të miratojmë raportin e Komisionit për matjen e territorit. Pastaj do biem dakord me Kuvendin sesi do të vijohet me procedurën”, ka deklaruar Mustafa.

Nga ana tjetër, opozita është zotuar se nëse marrëveshja sillet në Kuvend për ratifikim do të bëjë çdo gjë për ta penguar, duke mos përmendur format që do të përdoren.

Top Channel