Francë, Fillon nuk tërhiqet edhe pse hetohet formalisht

01/03/2017 00:00

Pas skandalit të pagesave fiktive dhe njoftimeve, më pas të përgënjeshtruara për ndalimin e së shoqes nga autoritetet, kandidati i qendrës së djathtë franceze, François Fillon anuloi një takim me kryesinë e partisë dhe njoftoi se do të dilte me një deklaratë për shtyp.

Shumë menduan se kjo lëvizje e papritur do të sillte njoftimin e tërheqjes së tij nga gara për president, por ndodhi pikërisht e kundërta. Fillon u zotua ta vazhdojë fushatën presidenciale, megjithëse tashmë është vënë zyrtarisht nën hetim për shpërdorim të fondeve publike.

“Nuk do të dorëzohem, nuk do të largohem nga gara. Do të luftoj deri në fund, sepse kjo shkon përtej personit. Në këtë rast, ajo që po sfidohet është demokracia”, tha François Fillon.

Fillon nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e gazetës satirike “Le Canar Enchaine” për punësimin fiktiv të së shoqes, Penelope, të paguar nga fondet publike për një punë të cilën nuk e ka kryer.

Kandidati konservator këmbëngul se bashkëshorta e tij ka punuar vërtet për të, por kjo nuk e zbuti skandalin që i kushtoi shtrenjtë në sondazhe ish-kryeministrit francez, të konsideruar deri vonë si favorit i qartë për presidencën franceze.

Për francezët, veprimi në vetvete ngre shumë pikëpyetje lidhur me transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje.

Top Channel