SHBA, reagime pozitive pas fjalimit të Trumpit

01/03/2017 00:00

Fjalimi i parë i presidentit amerikan në Kongres mori përgjithësisht vlerësime pozitive nga shikuesit, me 57 për qind të tyre që e pëlqyen atë, sipas një sondazhi të ri të CNN dhe ORC.

Gati 7 në 10 persona që ndoqën fjalimin thanë se politikat e propozuara nga presidenti i ri do ta çonin vendin në drejtimin e duhur, dhe 2/3-at e tyre mendojnë se prioritetet e Donald Trumpit janë ato që i nevojiten Amerikës.

Ndërkohë, ligjvënësit kanë qenë të ndarë në opinionet e tyre. Republikani Robert Pittinger e ka quajtur atë të së martës, si fjalimin më të mirë që kishte dëgjuar ndonjëherë në Kongres.

“Mendoj se ai e ka parë që Amerika e sotme nuk i shijon frytet e punës së saj. Si biznesmen, Trump e kupton se çfarë duhet bërë për të ndërtuar ekonominë e këtij vendi dhe mendoj se do të prodhojë një numër të madh mundësish për punë për popullin amerikan”, tha Pittinger.

Senatori republikan i Teksasit dhe ish-kandidati i zgjedhjeve presidenciale Ted Cruz i cilësoi shumë të forta deklaratat e Trumpit.

“Mendoj se deklaratat e tij për emigracionin ishin shumë të forta. Veçanërisht kur u fokusua te nevoja për të ashpërsuar ligjin”, tha Cruz.

Ndërsa për ligjvënësin demokrat Tom Perez, fjalimi kishte treguar se Trump jeton në një univers paralel.

“Donald Trumpit i pëlqen të shpikë gjëra dhe bën premtime që më pas nuk i mban. Ai ka thënë se do të rrisë pagat e do të përmirësojë kushtet e punës, por pas vetëm dy orësh, në administratë i vështirësoi edhe më shumë gjërat. Kështu, fjalimi është një tjetër tregues se ai jeton në një univers paralel”, tha Tom Perez.

Top Channel