Anthony Vaccarello, stilisti i ri dhe i guximshëm i “Yves Saint Laurent”, e ngazëlleu turmën e yjeve dhe adhuruesve të modës të mbledhur në shfaqjen e kompanisë ikonë, që çeli edhe javën pariziene të modës.

Koleksioni i tij “ready-to-wear” (i gatshëm për t’u veshur) vjeshtë-dimër 2017-1018, solli në pasarelë forcë dhe shkëlqim. Në funksion të kësaj ideje ishte edhe skena e përdorur: një bllok gjysmë i ndërtuar apartamentesh, ku modelet u rrethuan nga skelat e betoni.

Vaccarello ofroi një spektakel mjaft të pasur e të shumëllojshëm për publikun e pritshëm të këtij eventi. Veshjet e tij kombinonin lëkura të ngjyrave të ndryshme, pëlhurat e kadifenjta, risillnin xhaketat e mëdha, palltot e gëzofit, pantallonat e varura dhe shkëlqimin pa kursim.

Finalja e madhe u ishte rezervuar krijimeve të thjeshta, por mbresëlënëse, ku vezullimi i argjendit ndërthurej me copat e errëta, duke rezultuar në kombinime mjaft elegante.

Shfaqja u ndoq me vëmendje nga partneri i hershëm i “Yves Saint Laurent”, Pierre Berge. Në radhë të parë, pranë tij ishin ulur edhe mjaft modele e aktore të famshme, si Catherine Deneuve, Kate Moss, Eva Herzigova e Charlotte Gainsbourg.

Top Channel