Filipine, nisin kremtimet e së mërkurës së përhimë

01/03/2017 00:00

Me shenjën e kryqit në ballë, vizatuar me hi, filipinasit nisën kremtimet e së mërkurës së përhimë. Mijëra besimtarë katolikë morën pjesë në shërbesën fetare të mbajtur në kishën “Baclaran” të Manilës, ku pritën në radhë për të marrë shenjën që simbolizon pendesën dhe dorëzimin te Jezu Krishti.

Kjo e mërkurë shënon fillimin e kreshmës 40-ditore të katolikëve për vdekjen dhe më pas ringjalljen e Jezuit. Sezoni i agjërimit i thërret besimtarët në vetëpërmbajtje, lutje dhe reflektim.

“Është shumë e rëndësishme për ne që ta bëjmë një gjë të tillë, sepse duhet të kujtojmë vdekjen e Jezuit në kryq dhe vuajtjet që hoqi ai vetëm për njerëzit”, tha Rosalinda Seridonio, besimtare.

“Kuptimi i gjithë kësaj është të na risillet në kujtesë pendesa, të ndryshojmë jetët tona si të krishterë me shpresën se kreshma do të mbushet me lutje, përulësi dhe dashuri për njëri-tjetrin”, tha John Anza, seminarist.

Gjatë kësaj kohe theksohet nevoja për largimin e të devotshmëve prej mëkateve, si dhe kthimi e përmirësimi i jetës shpirtërore. Periudha 40-ditore që paraprin Pashkën nis të mërkurën e përhimë e përfundon në atë që njihet si e diela e palmave.

Top Channel