Trump: Përfaqësoj SHBA, rizgjoj shpirtin amerikan

01/03/2017 00:00

Në fjalimin e tij të parë përpara Kongresit që prej marrjes së postit më 20 janar, Donald Trump premtoi rizgjimin e shpirtit amerikan. “Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën, – tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, – por është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara”.

Duke folur me një ton më të matur por plot shpresë, Trump u tregoi dy dhomave të Kongresit se synon të çelë një kapitull të ri të madhështisë amerikane.

“Nga ky moment, Amerika do të fuqizohet nga aspiratat tona, jo të kërruset nga frika. Do të frymëzohet nga e ardhmja, jo të mbetet peng i dështimeve të së shkuarës. Do të udhëhiqet nga vizioni ynë, jo të verbohet nga dyshimet”, tha Trump.

Presidenti u shpreh se dëgjoi “lutjet” e popullit amerikan, ndaj dhe nisi zbatimin e ligjeve të emigracionit. Vetëm disa orë më parë, gjatë një dreke me moderatorë televizive në Shtëpinë e Bardhë kishte deklaruar jozyrtarisht se mund të tregohej i hapur për t’i dhënë status ligjor emigrantëve pa dokumente të rregullta qëndrimi.

Në Kongres, megjithatë, iu rikthye linjës së vjetër e la të kuptohet se do të ketë një ndryshim madhor politikash në atë drejtim, që anashkalon kursin e dy paraardhësve.

“Unë besoj se reformat e vërteta dhe pozitive të emigracionit janë të mundura për sa kohë përqëndrohemi te këto objektiva: përmirësimi i vendeve të punës dhe pagave për amerikanët, forcimi i sigurisë kombëtare dhe rikthimi i respektit për ligjet tona”, tha Trump.

Gjatë fjalimit doli sërish në skenë premtimi për ngritjen e murit në kufi me Meksikën, një armë e efektshme kjo sipas Trumpit, kundër narkotikëve dhe krimit. Një prej pikave të tjera kyçe ishte mbrojtja nga Shteti Islamik.

“Po merren masa të rrepta për të mbrojtur vendin nga ‘terrorizmi radikal islamik’ me shtimin e kontrollit mbi emigrantët. Kam udhëzuar Pentagonin të hartojë një plan për të mundur Shtetin Islamik, këtë ‘rrjet egërsirash të paligjshme’ që ka masakruar myslimanë dhe të krishterë, gra dhe fëmijë”, tha Trump.

Trump sqaroi nga ana tjetër se po i dërgon Kongresit një projektbuxhet, që parashikon një nga rritjet më të mëdha të shpenzimeve të mbrojtjes në historinë amerikane, e kjo bëhet për ta mbajtur Amerikën të sigurtë e me mjetet e nevojshme për të parandaluar luftën.

Top Channel