Mijëra vetë kanë protestuar në Shkup për të dytën natë radhazi, kundër marrëveshjes politike që do të siguronte përdorim më të gjerë zyrtar të gjuhës shqipe.

Platforma e gjuhës është parakushti i paktit mes Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, për krijimin e një koalicioni qeverisës. Por kundërshtia e një pjese të maqedonasve u pa qartë me marshimin drejt ndërtesës së Parlamentit.

Protestuesit këndonin këngë nacionaliste e mbanin në duar parulla, ku shkruhej “Jo dygjuhësisë”.

Kritikët e marrëveshjes pretendojnë se koalicioni me partitë shqiptare dhe zbatimi i një platforme të tillë do të rezultonte në federalizimin e Maqedonisë, e do të kërcënonte ekzistencën e shtetit. Në tubim nuk munguan as sloganet e rrezikshme, mes të cilëve edhe kërcënimi me vdekje për kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.

Njohësit e çështjeve politike mendojnë se protestat ndaj ngritjes së shqipes në statusin e gjuhës zyrtare mund të krijojnë presion mbi presidentin Gjorgje Ivanov që të mos ia japë Zaevit mandatin qeverisës, edhe pse i ka dorëzuar tashmë firmat e 67 deputetëve si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare.

Nisma qytetare në përkrahje të VMRO-DPMNE-së ka paralajmëruar vazhdimin e protestave. “Shqiptarët kanë shkolla, e madje edhe fakultete në gjuhën shqipe. Çfarë duan më shumë, apo të na marrin shtetin”, i tha “Radios Europa e Lirë” protestuesja Valentina Simoneska.

Për ekspertë si Mitko Gaxhovski, “nxitja e protestave gjoja në mbrojtje të interesave shtetërore të Maqedonisë, synon në fakt të pengojë kalimin paqësor të pushtetit nën kërcënimin se do të ketë trazira”.

Për formimin sa më parë të qeverisë së re të Maqedonisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit, të cilat do të angazhohen në realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë në formë të drejtpërdrejtë kanë bërë thirrje edhe NATO e BE-ja.

Top Channel