Netanyahu kritikohet për “neglizhencë” gjatë luftës së Gazës

28/02/2017 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe ish-zyrtarët e Mbrojtjes janë kritikuar ashpër nga një hetim për sjelljen e tyre gjatë luftës së Gazës në vitin 2014.

Një raport i hartuar nga institucioni përgjegjës shtetëror i Izraelit i akuzon ata se dështuan të përgatiteshin për kërcënimin që i shfaqej vendit nga tunelet nëntokësore ndërkufitare, të hapura nga militantët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi.

Gjatë luftimeve, ato tunele u përdorën për të lëshuar raketa kundrejt ushtarëve izraelitë.

Netanyahu këmbëngul se kabineti i tij i sigurisë ishte në dijeni të kërcënimit dhe se ishin diskutuar të gjitha skenaret e mundshme. Ushtria izraelite nisi operacionin për mbrojtjen e kufijve në korrik të vitit 2014, me synimin e deklaruar të ndalimit të sulmeve me raketa nga Hamasi dhe shkatërrimin e kapaciteteve të grupit terrorist për të ndërmarrë operacione kundër Izraelit.

Pas fazës fillestare të fokusuar te sulmet ajrore, ushtria izraelite nisi edhe një ofensivë tokësore, me qëllimin që të degradonte infrastrukturën e militantëve në Gaza, si dhe të shkatërronte rrjetin e tyre të tuneleve nëntokësore. Operacioni u përmbyll në gusht të vitit 2014, kur të dyja palët ranë dakord për armëpushim.

Lufta 50-ditore la të paktën 2.251 palestinezë të vdekur, përfshi edhe më shumë se 1.462 civilë sipas OKB-së, ndërsa 11.231 të tjerë u plagosën. Ndërsa mes izraelitëve u vranë 67 ushtarë dhe 6 civilë, ndërsa të plagosurit ishin me dhjetëra.

Top Channel