Përpiqet të shpëtojë qenin, tërhiqet zvarrë për disa kilometra

28/02/2017 00:00

Pamje të rënda janë filmuar përgjatë autostradës në Victorville të Kalifornisë në SHBA, ku një person është tërhequr zvarrë nga një makinë tip Honda për disa kilometra pasi ishte përpjekur të rimerrte qenushin e tij.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur javën e kaluar dhe e gjithë skena është filmuar nga një 39-vjeçare, e cila ka njoftuar policinë dhe është vënë në ndjekje të tyre deri në momentin ku personi i varur në makinë është marrë me autoambulancë.

39-vjeçarja Mawusi Fiagbenu tregon se kishte parë të gjithë skenën dhe është vënë në ndjekje të Hondës që udhëtonte me shpejtësi deri në 140 km.

“Pashë një person që po qëndronte i varur në një makinë dhe ulëriste nga dhimbjet. Pashë që lëkura e tij në disa vende ishte çarë nga fërkimi me tokën. Lajmërova policinë për t’i ardhur në ndihmë dhe iu vura në ndjekje deri sa makina Honda ndaloi dhe uli xhamin duke e lënë atë të lirë”, tregon ajo.  Pas këtij momenti ka ardhur edhe autoambulanca që ka marrë burrin, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, dhe e ka dërguar në spital.

Nga hetimet rezulton se drejtuesi i makinës Honda i kishte marrë qenin viktimës dhe kishte hyrë me nxitim në makinë, por ky i fundit e kishte ndjekur dhe e kishte futur dorën në dritare. Papritur ai e ka gjetur veten të bllokuar nga xhami i makinës dhe shoferi, ende i paidentifikuar, e ka tërhequr zvarrë për disa kilometra.

Top Channel