Futbollistja kosovare Bajramaj “var këpucët në gozhdë”

28/02/2017 00:00

Ajo u bë protagoniste përmes golave të bukur, në një sport që ende është nën diktatin e meshkujve. Fitoi popullaritet përmes spoteve të bukura televizive, që e futën gjithashtu në arenën e “showbizz”-it, si dhe u shpall dy herë kampione Europe dhe një herë kampione bote.

Tashmë në moshën 28-vjeçare, Fatmira Bajramaj vendosi që t’i thotë lamtumirë futbollit. Kosovarja, e cila ka përfaqësuar kombëtaren e Gjermanisë, ka luajtur për skuadra të njohura si Duisburg, Turbine Potsdam, Frankfurt dhe Paris Saint Germain.

“Pas një mendimi të gjatë dhe të kujdesshëm, unë kam vendosur të përfundoj karrierën në futboll. Ky vendim është shumë i vështirë për mua, sepse me gjithë qejf kam dashur të luaj sërish futboll në një klub tërheqës. Për fat të keq nuk ishte e mundur ta gjejmë një qytet për planet tona”, tha mes të tjerave ish-futbollistja e njohur.

Fatmira Alushi Bajramaj, nga Istogu, ka zhvilluar afro 300 paraqitje me të gjitha klubet, ku ka shënuar edhe 123 gola.

Top Channel