Francë, fjalimi i Hollande ndërpritet nga snajperi. Dy të plagosur

28/02/2017 00:00

Një snajper i policisë franceze ka qëlluar aksidentalisht duke plagosur dy persona, gjatë një fjalimi të presidentit François Hollande.

Ky i fundit po përuronte një pjesë të re të hekurudhës në qytetin Villognon, në Francën perëndimore, kur u dëgjuan të shtënat.

Një kamerier dhe një punëtor tjetër në këtë përurim janë plagosur lehtë, njëri në kavilje e tjetri në këmbë.

Sipas medieve lokale, siguresa e armës nuk kishte funksionuar dhe arma ishte shkrepur. Të shtënat ndërprenë fjalimin për pak çaste, por raportet thonë se nuk kishte panik.

“Shpresoj që të mos jetë diçka serioze. Mendoj që jo”, tha Hollande, pasi kishte ndërprerë fjalimin e tij për të pyetur nëse ndokush ishte lënduar.

Zyrtarët thanë se jetët e të plagosurve, kryekamerierit të një hoteli dhe punonjësit të një kompanie të mirëmbajtjes së hekurudhës, nuk janë në rrezik.

Ndërkohë ka nisur një hetim për incidentin. Snajperisti ishte pjesë e një njësie të posaçme mbrojtëse dhe ishte vendosur në një çati shtëpie rreth 100 metra larg nga sheshi, ku po mbahej ceremonia e përurimit të hekurudhës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel