OKB, Rusia e Kina vendosin veton ndaj rezolutës antisiriane

28/02/2017 00:00

Rusia dhe Kina kanë bllokuar një tjetër rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë kësaj të marte, të mbështetur nga administrata e presidentit Trump, që synonte të ndëshkonte qeverinë siriane për përdorimin e armëve kimike.

Vetoja ruse ndaj rezolutës, në votimin e panelit prej 15 anëtarësh, ishte edhe përplasja e parë publike në Këshillin e Sigurimit mes Kremlinit dhe administratës “Trump”, që iu bashkua aleatëve europianë në mbështetje të rezolutës. Vota tregoi edhe njëherë përçarjen e thellë mes Uashingtonit dhe Moskës, pavarësisht premtimeve të Trumpit për të përmirësuar marrëdhëniet.

Rezultati i votimit ishte 9 pro dhe 3 kundër, përfshi këtu Rusinë dhe Kinën, që të dyja anëtare të përhershme të këshillit me të drejtë vetoje, si dhe Bolivia, një vend jo i përhershëm. Ndërkohë, tri vende të tjera jo të përhershme, si Egjipti, Etiopia dhe Kazakistani, abstenuan.

Rusia kishte sinjalizuar më herët se do të vendoste veton ndaj rezolutës që parashikonte ndëshkime ndaj qeverisë së presidentit Bashar al-Assad të Sirisë. Kjo ishte vetoja e 7 e përdorur nga Kremlini në Këshillin e Sigurimit në mbrojtje të Assadit në luftën civile siriane, tashmë thuajse gjashtëvjeçare.

Ambasadorja amerikane, Nikki R. Haley akuzoi Rusinë se po vendoste “miqtë e saj në regjimin e Assadit” mbi interesat globale të sigurisë.

“Kjo është një ditë e zymtë për Këshillin e Sigurimit, sidomos kur shtete anëtare të tij nxjerrin justifikime për vende të tjera që vrasin popullin e tyre”, tha ajo në një nga dhomat e këshillit pas votimit.

Rezoluta e propozuar nga Britania dhe Franca prej disa muajsh dhe e miratuar nga Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, do të vendoste sanksione ndaj një grushti zyrtarësh ushtarakë sirianë, si dhe ndaj entiteteve të tjera që kanë hedhur fuçi bombash të mbushura me klorin mbi zonat e kontrolluara nga rebelët në të paktën 3 raste në vitet 2014 dhe 2015, sipas një paneli të Kombeve të Bashkuara.

Top Channel