Shpërthim në “Gërdecin” e Serbisë. Një i vdekur, 25 të plagosur

28/02/2017 00:00

Një person ka vdekur, kurse 3 të tjerë konsiderohen të zhdukur, pas dy shpërthimeve që ndodhën në fabrikën e armëve dhe municioneve në Serbinë qendrore, në qytetin e Kragujevcit.

Një nga viktimat është konfirmuar të jetë një ushtarak, ndërsa 3 persona të tjerë që nuk janë gjetur ende, konsiderohen të zhdukur pasi punonin në njërën nga zonat e sigurisë, në të cilat ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur të futen.

Nuk dihet numri i të plagosurve, pasi autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë shifra, por para spitalit të këtij qyteti familjarët presin dhe interesohen.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë thënë se janë duke bërë të pamundurën për t’u futur në të gjitha zonat.

“Nga largësia mund ta shohim situatën, por jemi duke pritur ekipet nga Beogradi, pasi askush nuk mund të afrohet. Kjo qendër është ndërtuar me të gjitha standardet dhe ne do ta hetojmë këtë ngjarje”, tha Zoran Gjoergjeviç, ministër i Mbrojtjes në Serbi.

Autoritetet janë duke u munduar të kthejnë kontrollin, por kanë frikë se mund të ketë sërish shpërthime, pasi bëhet fjalë për hapësira me lëndë të ndjeshme.

Mjekët thonë se të lënduarit kanë pasur lëndime të rënda, por nuk janë në rrezik jete.

“Bashkë me ekipet mjekësore ushtarake kemi trajtuar 25 pacientë këtu, prej të cilëve nën vëzhgim intensiv janë 3 pacientë. Bashkë me spitalin ushtarak jemi duke u kujdesur që të mos ketë lëndime të tjera, pasi në këto raste te pacientet mund të ketë efekte anësore dhe lëndime të organeve të brendshme”, tha Predrag Sazdanoviç, nga Spitali i Kragujevcit.

Ministria serbe e Mbrojtjes ka nisur një hetim për incidentin në fabrikën që prodhon edhe mina dhe municione prej më shumë se 50 vitesh, ndërsa është ndërtuar në vitin 1853.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel