Zidane nuk pret dhurata: Arbitrat nuk na favorizojnë

28/02/2017 00:00

Situata kontroverse që ka rrethuar Realin e Madridit në ditët e fundit, për Zinedine Zidane nuk ka asnjë bazë të vërtetë dhe ka fituar popullaritet pasi në lojë është La Liga.

Trajneri i skuadrës galaktike kërkoi të minimizojë ndikimin e arbitrave në sukseset e ekipit “merengues”, duke lënë të kuptohet se nuk pret dhurata dhe gjithçka do ta diskutojnë në fushë.

“Los Blancos” përmysën disavantazhin në fushën e Villarrealit, duke fituar vetëm në minutat e fundit 3-2 në stadiumin “El Madrigal”, por ky sukses ndezi debatin në Spanjë mbi trajtimin potencial preferencial të ekipit mbretëror nga arbitrat.

Në fokus ishte penalltia e shënuar nga Ronaldo, ndërsa edhe mbrojtësi i Barcelonës Gerard Pique akuzoi për favorizime.

“Unë nuk përfshihem asnjëherë në debate me arbitrat. Te Reali i Madridit i respektojmë vendimet. Kjo mund të bezdisë shumë njerëz dhe është e kuptueshme. Por unë jam krenar për ekipin që drejtoj. Njerëzit si Pique mund të kenë opinionin e tyre, por unë nuk do të hyj në debat me ta, pasi nuk është e vërtetë që favorizohemi”, tha Zinedine Zidane.

Reali i Madridit kryeson La Ligën me një pikë më shumë sesa Barça, por ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Top Channel