Shiste vizat, Italia shkarkon diplomatin në Irak

28/02/2017 00:00

Italia ka shkarkuar këtë të martë kreun e zyrës së vizave në Erbil të Irakut, pas raportimeve se i jepte viza në këmbim të mijëra eurove, veç të tjerëve edhe njerëzve që ishin refuzuar nga disa vende të tjera si të rrezikshëm për sigurinë.

Ministria e Jashtme italiane komunikoi përmes një deklarate se, hetimi ndaj konsullatës në kryeqytetin e rajonit kurd të Irakut, kishte gjetur shumë “parregullsi”. Informacioni u ka kaluar tashmë magjistratëve italianë për ta detajuar edhe më tej atë.

Gazeta “Corriere della Sera” raportoi të martën se refugjatët kurdë dhe sirianë ishin detyruar të paguanin deri në 10 mijë euro për një vizë, ndryshe nga pagesa standarde prej vetëm 90 eurosh.

Sipas gazetës, hetuesit italianë kishin zbuluar të paktën 152 raste, në të cilat ishin kërkuar këto tarifa të tepruara. Sipas saj, disa prej këtyre vizave për hyrje në Itali u ishin lëshuar personave, të cilët ishin refuzuar nga vende të tjera europiane për shkaqe sigurie.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme italiane nuk jepte detaje, por në të thuhet se “është e natyrshme që të ndërmerren edhe hapa të tjera”. Gjithashtu njoftohej se kreu i seksionit të vizave në Erbil, emri i të cilit nuk është publikuar, është “liruar nga detyra”.

Top Channel