SHBA, dënimi i parë me burg për një “drone”

28/02/2017 00:00

Pronari i një biznesi, që merret me fotografime nga ajri, u dënua me 30 ditë burg, pasi një prej “drone”-ëve që ai drejtonte goditi dhe lëndoi një femër.

Paul Skinner u shpall fajtor për pakujdesi nga një gjykatës në qytetin amerikan Seattle. Sipas statistikave, besohet se kjo është hera e parë në planet, që një drejtues “drone”-i dënohet me burg.

Incidenti për të cilin u dënua Skinner ndodhi gjatë një parade në Seattle në vitin 2015. Sipas policisë, mjeti i telekomanduar që drejtonte Skinner u përplas me një ndërtesë dhe ra mbi turmë, duke plagosur dy persona.

Gjykatësi tha se, e kupton që bëhet fjalë për një aksident, por shtoi se piloti i pajisjes së telekomanduar kreu veprime që rrezikuan të tjerët. Sipas prokurorit, drejtimi i gabuar i “drone”-ëve është një çështje sigurie që sa vjen e përkeqësohet.

Ekspertët, ndërkohë, duke shfrytëzuar dënimin e Skinner kanë kërkuar regullore për përdorimin e “drone”-ëve, qoftë për qëllime tregtare, ashtu dhe personale.

Në fakt, autoritetet e shumë vendeve kanë ngritur problemin e pranisë së “drone”-ëve pranë aeroporteve, shpesh herë duke rrezikuar avionët që ulen apo ngrihen. Për këtë arsye, forcat policore të shumë shteteve kanë nisur të stërvisin shqiponjat, për të ndalur “drone”-ët në zonat që konsiderohen të rrezikshme.

Top Channel