Bush për Trump: Të shohim sa i zoti do jetë në bashkimin e kombit

28/02/2017 00:00

Ish-presidenti amerikan George W. Bush ishte i ftuar i emisionit “Hannity” në “Fox News” të hënën për të diskutuar mbi muajin e parë të Donald Trump-it në zyrën ovale.

Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit nëse Trump-i ka bërë deri tani ndonjë veprim për të bashkuar vendin, njeriu që e mbajti postin e shefit të Shtëpisë së Bardhë për dy mandate nga 2001-shi deri në 2009-n, kujtoi se nuk ka kaluar veçse një muaj që kur drejtimi i vendit i kaloi miliarderit kontrovers.

“Them se duhet të besoni fjalët e tij kur thotë se dëshiron unitetin e kombit. Do ta shohim sa të jetë i zoti ta bëjë vërtet një gjë të tillë. Është e vështirë të bashkosh një vend kur mediat e tij janë kaq të përçara”, tha Bush.

Bush e ktheu pas kësaj vëmendjen tek grupi ekstremist që po mbjell terror në mbarë botën. Për ish-kreun e shtetit amerikan, militantët e ISIS-it janë disa banditë që mund dhe duhen mposhtur.

“Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë që këta janë një grup banditësh dhe kaq. Shkoni e kapini sepse mund të goditen e të shkatërrohen. Është shumë e rëndësishme të merret parasysh që për ta bërë një gjë të tillë nevojitet edhe mbështetja e njerëzve në terren, njerëzve që duan të jenë të lirë”, u shpreh Bush.

Gjatë një intervistë të mëhershme për NBC-në, Bush kishte thyer heshtjen lidhur me një tjetër aspekt të qeverisjes së Trump-it, duke deklaruar se personalisht, mbështet një politikë pozitive të emigracionit. Nuk duhet të harrojmë, u shpreh ish-presidenti amerikan, se një prej themeleve kryesore të lirisë tonë është pikërisht e drejta e besimit.

Top Channel