F1, testet në Barcelonë, dominon Hamilton

28/02/2017 00:00

Në Barcelonë, skuadrat e Formula 1 kanë nisur testet parasezonale në prag të botërorit të ri që do të hapet me Çmimin e Madh të Australisë në 26 mars.

Hamilton me Mercedes ishte piloti më i shpejtë në pistën e “Montmelo”-së në ditën e parë të këtyre testeve duke konfirmuar se do të jetë ai piloti për t’u mundur. Britaniku përshkoi 73 xhiro në këtë ditë me kohën 1 minutë 21 sekonda e 765 të mijtat. Piloti që kreu më shumë xhiro ishte Sebastian Vettel me 128 të tilla, duke shënuar kohën e dytë më të mirë me 113 të mijtat më shumë se Hamilton.

Dominimi i Hamilton u shfaq edhe në sesionin e paradites në ditën e dytë të testeve të Barcelonës. Piloti britanik e përshkoi pistën katalanase me 1 minutë 20 sekonda e 983 të mijtat, kohë kjo rreth 1 sekondë më e shpejtë se ajo e një ditë më parë. Pas tij u pozicionua sërish një pilot i Ferrarit dhe këtë radhë ai ishte Kimi Raikkonen me rreth 2 sekonda më shumë se Hamilton. Në vendin e tretë u rendit piloti i Force Indias, Esteban Ocon edhe pse ky i fundit u përfshi në një incident me Kvyat që solli edhe në ndërprerjen e përkohshme të testeve.

McLaren u shfaq me probleme në këto teste të para. Skuderia britanike në ditën e parë kreu vetëm 29 xhiro me Alonson dhe këto në sesionin e dytë të testeve, pasi në të parin pati një problem në sistemin e vajit të motorit. Edhe në sesionin e paradites së ditës së dytë McLaren pati probleme duke u detyruar që të ndërrojë motorin.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel