Juventus vs Napoli, dueli për finalen e Kupës

28/02/2017 00:00

Juventus dhe Napoli sot në mbrëmje do të vihen përballë njëra-tjetrës për të luajtur ndeshjen e parë gjysmëfinalë të Kupës së Italisë. Bardhezinjtë nuk dëshirojnë të ndalin vrullin e tyre në tentativë për të fituar të tre trofetë sezonalë, edhe pse trajneri Allegri preferon të tregohet i kujdesshëm në këtë pikë.

Trajneri livornez pritet të konfirmojë skemën 4-2-3-1 në këtë përballje me Napolin. Në portë Buffon do të lihet pushim dhe në vendin e tij do të aktivizohet Neto. Në mbrojtje pritet të aktivizohen Asamoah, Chiellini, Barzagli e Lichsteiner. Mesfusha do të përbëhet nga Pjanic, Khedira e përpara tyre do të jenë Mandzukic, Dybala e Cuadrado, menjëherë pas Higuain që do të jetë më i avancuari.

Vlen të theksohet se Dybala rikthehet në formacionin bazë të Juventusit pasi qëndroi në stol në ndeshjen ndaj Empolit.

Në krahun tjetër, Napoli vjen në këtë përballje pas humbjes befasuese me Atalantën në San Paolo. Për skuadrën e Maurizio Sarrit Kupa e Italisë është një objektiv që duhet ndjekur me forcë dhe për këtë arsye trajneri italian do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm duke parë mundësinë që ekziston që ai të bëjë ndonjë rotacion.

Kështu Reina do të jetë në portë, ndërkohë që në repartin e mbrojtjes do të jenë Maggio, Albiol, Koulibaly dhe Ghoulam. Në mesfushë pritet tyë jenë Zielinskym, Diawara e Rog që duket se do të marrë vendin e Hamsik. Sulmi do të përbëhet nga Insigne, Pavoletti dhe njëri mes Milik dhe Callejon.

Top Channel