NBA, fitojnë Golden State dhe Indiana

28/02/2017 00:00

Golden State Warriors mundi Philadelphian 119-108 duke shënuar suksesin e katërt radhazi në NBA. Stephen Curry nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe këtë e tregon fakti që përveçse shënoi vetëm 19 pikë, ai nuk u tregua i saktë në asnjë prej 11 tentativave nga distanca e 3 pikëve gjë që nuk i ndodhte që nga 4 nëntori i vitit të kaluar kundër Lakers.

Megjithatë Golden State ka në përbërje fenomenë të tjerë që dinë ta drejtojnë atë drejt suksesit, siç janë Kevin Durant dhe Klay Thompson që shënuan respektivisht 27 dhe 21 pikë.

Spikat në këtë  raund të NBA fitorja e Indianës ndaj Houston. Në Toyota Center, skuadra e Pacers e mbylli sfidën me teksanët me rezultatin 117-108 pas kohës shtesë.

Jeff Teague ishte basketbollisti më i mirë për Indianën me 25 pikë të shënuara, e njëjta shifër  e regjistruar edhe nga James Harden për Houston.

Dallas mposhti Miamin 98-86 duke i shkaktuar Heat humbjen e 3 në 19 ndeshjen e fundit. Seth Curry u duk si vëllai i tij Stephen në parket për teksanët, teksa e mbylli sfidën me 29 pikë të shënuara. Për Dallas vlen të theksohet se e mbylli ndeshjen me një rezultat të pjesshëm 12-0 për të siguruar suksesin e 24 sezonal, që gjithsesi e lë atë ende jashtë zonës së “Playoffit” në Konferencën e Perëndimit.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Cleveland mundi Milwaukee 102-95, Toronto fitoi me New Yorkun 92-91,Atlanta mposhti Boston 114-98, ndërsa Sacramento humbi ndaj Minnesotës 88-102.

Top Channel