Barcelona mund të shkojë në finale, Messi e Neymar jo

28/02/2017 00:00

Nëse Barcelona do të bëjë mrekullinë dhe do të arrijë deri në finalen e Ligës së Kampioneve në Cardiff, atëherë rrezikon ta luajë atë pa dy yjet e saj Lionel Messi dhe Neymar.

Britania e Madhe mund të vendosë veton e saj dhe të ndalojë hyrjen në vend të futbollistëve për shkak të proceseve të hapura gjyqësore. Presidenti i UEFA, Alexander Ceferin foli për këtë në një intervistë për “New York Times”.

“Nuk do të ishte problem nëse autoritetet britanike do të ndalonin hyrjen në vend të kriminelëve të rrezikshëm, por nëse shohim që ka futbollistë që mund të mos lejohen të shkojnë atje për shkak të ndonjë procedimi penal në zhvillim e sipër, atëherë do të mendojmë nëse duhet t’i luajmë ndeshjet e kompeticioneve europiane në atë vend apo jo. Messi e Neymar janë në procese gjyqësore dhe këtë vit finalja është në Cardiff, imagjinoni nëse ata nuk do të jenë atje nëse arrijnë deri në atë fazë”, tha Ceferin.

Ceferin foli edhe masat e marra nga Presidenti i SHBA, Donald Trump për emigracionin duke theksuar se kjo situatë nuk do ta ndihmojë aspak këtë vend.

“Jam i sigurtë se ajo çfarë po ndodh në SHBA nuk do t’i ndihmojë aspak në garën për organizimin e Botërorit 2026. Nëse lojtarët nuk mund të shkojnë atje për vendime politike apo populiste, atëherë Botërori nuk do të mund të zhvilllohet në atë vend. Kjo vlen edhe për tifozët e gazetarët. E gjithë kjo është pjesë e një Kupe Botë ku çdokush duhet të jetë në event pavarësisht kombësisë që ka”, deklaroi kreu i UEFA-s.

Top Channel