Mogherini: Më shumë bashkëpunim për ushtrinë

28/02/2017 00:00

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini deklaroi të hënë se shpresonte që vendet anëtare të unionit do të gjenin gjuhën e përbashkët për të rritur shpenzimet në ushtri.

Duke folur pas një takimi me ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano tha se për marrjen e një vendimi të tillë, momenti i duhur është takimi i përbashkët i ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtje së BE-së në 6 mars.

“Do të jetë një moment kyç. Javën e ardhshme do të merren vendime të rëndësishme në Këshillin e Europës. Do të kemi një takim të përbashkët të ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtes së BE-së për adoptimin njëzëri të vendimeve për të forcuar bashkëpunimin për mbrojtjen e Europës”, tha Mogherini.
Përfaqësuesja e Lartë shpreson që të arrihet ujdia për një buxhet të vetëm ushtarak në gjithë Bashkimin Europian.

“Në vend që të kemi 27 investime dhe projekte të ndara në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi mund të rrisë eficencën që me të njëjtën sasi fondesh të realizojmë shumë më shumë për sigurinë e BE-së”, tha ajo.

Rritja e shpenzimeve ushtarake kërkohet me ngulm nga administrata e re amerikane. Donald Trump ka deklaruar më shumë se një herë se do të kushtëzojë angazhimin amerikan në NATO nëse vendet anëtare të Aleancës nuk përmbushin kriterin e shpenzimit të 2 përqind të GDP-së për ushtrinë.

Këto komente të Trump u zbutën disi nga zv.Presidenti Mike Pence, që deklaruar në fillim të muajit shkurt se Uashingtoni do të ruajë zotimin në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit të vendeve aleate europiane.

Gjithsesi, sinjalin e tërthortë se BE duhet të rrisë shpenzimet ushtarake e jep projektbuxheti i Donald Trump, ku sipas parashikimeve të deritanishme, paratë për Pentagoni rriten me 9 përqind për 2018 në krahasim me këtë vit.

Top Channel