Kukësi apo Partizani? Akuza të ndërsjellta për dhunën

28/02/2017 00:00

Në fushë nuk fitoi asnjë, por në tribuna triumfoi dhuna dhe incidentet. Kukësi dhe Partizani i dhanë jetë një ndeshjeje të bukur në përplasjen direkte për titullin, por nuk munguan akuzat e ndërsjellta për trazira në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

Në fillim u hamendësua për dëmtimin e stolave, siç e treguan disa foto dhe video, por edhe imazhet para ndeshjes, treguan se impianti i Kukësit nuk ishte në gjendje të mirë.

I fundit që ka reaguar këtë të hënë është grupimi më i madh mbështetës i skuadrës së Partizanit.

“Gjithçka po shkonte mirë deri në minutën e 65-të, kur individë nga jashtë stadiumit filluan të godisnin me gurë drejt nesh. Ndërkohë policia ndërhyri dhunshëm drejt tifozerisë tonë pas kundërpërgjigjes në vend që të mbante rendin jashtë stadiumit dhe të garantonte sigurinë. E pas gjakosjes me gurë të njërit nga anëtarët tanë e gjithashtu rrëzimit pa ndjenja të një tifozi paksa në moshë filloi kundëreagimi ynë ndaj policisë”, thuhet në deklaratën e tifozëve të Partizanit.

Pas barazimit pa gola, policia vendosi në listën e zezë disa tifozë të “Demave të Kuq”.

Kukësi kryeson renditjen e Superiores së bashku me Skënderbeun, ndërsa Partizani ndodhet i treti në klasifikim, me 4 pikë më pak.

Top Channel