Skenarët, Champions duket larg për milanezet

28/02/2017 00:00

Fituan të dy ndaj Juventusit dhe Lacios në San Siro, humbën po të dy ndaj Romës dhe Napolit e barazuan mes tyre kur fati dhe kalendari i kryqëzoi. Në fund mjafton të shohësh renditjen e Serisë A pasi mes Inter dhe Milan ka vetëm një pikë diferencë dhe tregon se rrugëtimi i tyre ka qenë thuajse i njëjtë.

“Zikaltërit” dhe “Kuqezinjtë” kanë objektivin afatshkurtër për t’u rikthyer mes të mëdhenjve të kontinentit dhe Champions është finishi i shpallur i ekipeve të futbollit italian. Për zonën që të çon në kupën me veshë të mëdhenj duhen kaluar 3 skuadra dhe duhet të anulohet hendeku prej 6 apo 7 pikësh. E vështirë, por jo e pamundur…

Inter dhe Milan kanë fituar vetëm dy nga përplasjet direkte me rivalët që pretendojnë Champions dhe që janë para tyre në renditje, por nëse e bëjnë më shumë në pjesën e mbetur të sezonit, skenarët për Europën do të intrigohen.

Për formacionin “Zikaltër”, prova e parë pas humbjes ndaj Romës do të vijë pas dy javësh kur në San Siro të zbarkojë Atalanta e portierit Etrit Berisha, rivali më në formë për momentin. Më pas në muajin prill një trekëndësh i vështirë me derbin ndaj Milan, transfertën në Firence dhe sfidën ndaj Napolit.

Milan ka më pak mundësi, pasi në 10 mars luan me Juventusin jashtë, më pas në javët e fundit pret Romën e luan ndaj Atalantës në transfertë, duke mos llogaritur mes tyre derbin.

Por llogaritë dhe renditja vlejnë pak, nëse në provimin real të fushës, ekipet milaneze shfaqin lëkundje si deri tani.

Top Channel