Vale do titullin dhe…një fëmijë

28/02/2017 00:00

Valentino Rosi ende nuk e ka kaluar të gjithë zhgënjimin që prodhoi finalja dramatike e vitit 2015, një epilog sa i hidhur aq edhe kontrovers i garave të MotoGP që vuri në pah edhe manovrat e dyshimta apo aleancat.

Piloti veteran i pistave iu rikthye edhe njëherë provokimeve të para dy vjetëve me Mark Markez, duke e cilësuar një njeri të shtirur spanjollin, në kontrast me rivalin tjetër Horge Lorenco.

“Ndodhën gjëra që nuk duhej të ndodhnin dhe që ishin një turp i vërtetë për sportin. Kam luftuar ndaj shumë pilotëve të tjerë që nga Biaxhi apo Stoner, por asnjë nuk është sjellë kaq keq sa Markez. Asnjëherë nuk kam parë një pilot që nuk garon për titullin, t’i kundërvihet një tjetri kështu. Lorenco në të mirë apo në të keq, është më transparent sesa Markez dhe jo i shtirur. Me motorë të fikur, të gjithë janë zotërinj të vërtetë”, tha piloti italian.

Protagonisti i Jamahës, ka aktualisht dy objektiva, të fitojë titullin e tij të dhjetë në karrierë dhe të bëhet baba dhe për këtë mendon se sfida e parë është më e lehtë se e dyta.

Top Channel