Mali i Zi pret ftesën për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e muajit maj, por sidoqoftë disa pengesa mbeten, mes tyre edhe kundërshtia e fortë nga Rusia. Pavarësisht paqartësisë për ratifikimin e marrëveshjes për pranimin e Malit të Zi në Senatin amerikan dhe në tre shtete të tjera anëtare të NATO-s, Podgorica pretendon se Moska është angazhuar dramatikisht për të ndryshuar kursin e shtetit të vogël në Adriatik.

“Ne presim që Moska të shpjegojë rolin e qytetarëve rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov në përpjekjen për rrëzimin me dhunë të qeverisë në tetor 2016, si edhe të shpjegojë sesi ka mundësi që Eduard Shishmakov të kishte dy pasaporta, me dy identitete të ndryshme, të lëshuara nga autoritetet në Moskë”, thotë Zoran Pazin, ministër i Drejtësisë në Malin e Zi.

Ministri iu referua kështu një komploti në të cilin janë përfshirë dy diplomatë rusë, që kishin si qëllim rrëzimin e qeverisë gjatë zgjedhjeve të tetorit dhe ndalimin e anëtarësimit të vendit në NATO.

“Për Malin e Zi, përzierja në punët tona të brendshme është e papranueshme, njësoj si financimi i disa aktorëve politikë në vend me para që nuk vijnë nga kanale ligjore”, shton Pazin.

Rusia kundërshton zgjerimin e NATO në lindje.

“Ne i kuptojmë interesat dhe kundërshtitë ruse për zgjerimin e NATO-s, por ne kemi interesat tona kombëtare dhe ato nuk janë rezultate të vendimeve të papritura, por qëllimet tona afatgjata”, thotë ministri i Jashtëm malazez, Srdjan Darmanoviç.

Deri kohët e fundit, Mali i Zi ka qenë një vend i frekuentuar nga mijëra rusë, që kanë blerë shtëpi në bregdet, mes tyre edhe biznesmenë dhe manjatë.  Pavarësisht tensioneve që janë shtuar vitet e fundit, Rusia mbetet e kudondodhur në Mal të Zi. Sot, vendi është dukshëm i ndarë mes atyre që duan të mbeten nën strehën e Rusisë dhe të tjerëve që janë qartazi në favor të anëtarësisë në NATO.

Top Channel