Dyshime për Pioli, Conte ose Simeone për stolin e Inter

28/02/2017 00:00

Humbja me  Romën ka ndezur edhe dyshimet e para në ambientin zikaltër, mbi aftësitë e trajnerit Stefano Pioli.

Pavarësisht mesatares së lartë të pikëve të grumbulluara, Interi i Piolit është shfaqur dominues vetëm ndaj ekipeve të dorës së dytë dhe ka dështuar gjithmonë në përballjet më rivalët direktë.

Diego Simeone është emri që përflitet prej kohësh si trajneri që do të marrë stolin e Inter në verë, pavarësisht se ka kontratë me Athletico Madrid deri më 2018-ën.

Trajneri argjentinas nuk e ka mohuar asnjëherë dëshirën për të drejtuar zikaltërit dhe ecuria jo fort e mirë e Athletico-s në kampionatin spanjoll mund ta shtyjë argjentinasin që të transferohet që këtë verë te Inter.

Përveç Simeones, ditët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Antonio Conte-s, si një pasardhës i mundshëm i Piolit.

Conte ka profilin e duhur për të drejtuar projektin zikaltër pasi është italian dhe me CV mjaft të pasur, i aftë për ta drejtuar Interin drejt sukseseve.

Vetë Conte pranoi se mund të lerë Chelsea-n në fund të sezonit, por hipoteza e transferimit të tij të Inter duket disi e vështirë, për shkak se ky i fundit njihet si juventin i flaktë.

Top Channel