Debati për Kosovën në OKB

27/02/2017 00:00

Në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës u përplasën përsëri mes tyre. Serbia përfaqësohej nga Presidenti Tomislav Nikoliç, ndërsa Kosova nga ambasadorja e saj në SHBA, Vlora Çitaku.

Nikoliç tha se Republika e Serbisë është e angazhuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të debatueshme nëpërmjet dialogut brenda kornizës së statusit neutral. Sipas tij, vetëm përmes një qasjeje të tillë është e mundur arritja e stabilitetit në Kosovë. Qëllimi ynë kryesor, tha ai, është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe jeta e njerëzve. Ai është ndalur në veçanti tek krijimi i ushtrisë se ardhshme të Kosovës, që e quajti një kërcënim serioz për Ballkanin.

“Në këtë kontekst, do të doja të theksoj në veçanti deklaratat e dëmshme të bëra në lidhje me një formacion të mundshëm të Ushtrisë së Kosovës; do të ishte një shkelje e qartë e Rezolutës 1244 dhe në të njëjtën kohë, një kërcënim i ri serioz i përpjekjeve të investuara për stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
 
Duke u kundërpërgjigjur, Ambasadorja Çitaku tha se Kosova nuk do të diskutojë me Serbinë apo dhe me asnjë vend tjetër krijimin e forcave të saj të armatosura. Ky, tha ajo, është një vendim i ligjshëm i autoriteteve të Kosovës. Sipas saj, Kosova do të nderojë gjithmonë rolin e Këshillin e Sigurimit, por ka ardhur koha për të ecur përpara. Në kundërshtim me deklaratën e Presidentit serb, ajo tha se takime të tilla të janë shpenzim i pajustifikuar kohe.

“Shpenzimi i milionave për të mbajtur në Kosovë UNMIK-un, i cili nuk ka më një mision ose funksion është gjithashtu kosto e pajustifikuar”, deklaroi Çitaku.

Ajo e quajti ndalimin e zotit Haradinaj në Francë me kërkesë të Serbisë “një akt të dëshpëruar” të Beogradit për të kthyer prapa historinë. Serbia, tha ajo, ka ngritur më parë akuza të ngjashme kundër të gjithë udhëheqësve perëndimorë, duke përfshirë presidentin Bill Clinton. Çitaku tha se Serbia ka dështuar të merret me të kaluarën e vet, me krimet e vërteta që janë kryer në Kosovë gjatë luftës.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë në Këshillin e Sigurimit se zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve paqësore të dialogut dhe kompromisit janë thelbësore për Kosovën, siç janë edhe për tërë rajonin. Dialogu sipas tij, nuk ka alternativë.

Top Channel