Filipine, militantët islamikë ekzekutojnë pengun gjerman

27/02/2017 00:00

Militantët islamikë të grupit “Abu Sayyaf” në Filipine postuan një video, ku shfaqet ekzekutimi me prerje koke i një pengu gjerman.

Jurgen Kantner u rrëmbye nga jahti i tij në nëntor, ndërsa lundronte përballë brigjeve të Malajzisë. Partnerja e Kantner, Sabine Merz u vra gjatë rrëmbimit.

Ekzekutimi i Kantner u krye pasi skadoi afati i pagesës së haraçit prej 600 mijë dollarësh, që militantët kishin kërkuar për lirimin e tij.

Kantner dhe Merz ishin rrëmbyer edhe më parë. Në vitin 2008 ata u mbajtën peng nga piratë somalezë për 52 ditë dhe u liruan pas pagesës së haraçit. Zyrtarë filipinas konfirmuan vrasjen e Kantner dhe thanë se ishin përpjekur me të gjitha mënyrat për lirimin e tij.

Megjithatë, Manila zyrtare njoftoi se zyrtarisht vdekja e tij do të konfirmohet pasi të gjendet trupi, e për këtë qindra ushtarë janë dërguar në zonën ku mendohet të jetë kryer ekzekutimi.

“Abu Sayyaf” është një prej grupeve më të vogla dhe më të dhunshme xhihadiste në jug të Filipineve. Megjithatë, pavarësisht aleancës me Shtetin Islamik dhe propagandës islamike, anëtarët e “Abu Sayyaf” kanë fituar miliona dollarë me biznesin e tyre kryesor, atë të rrëmbimit të shtetasve të huaj dhe lirimit të tyre për parà.

Top Channel