Refuzon Gruevskin, Zaev me 67 mandate në Presidencë. Pritet mandatimi

27/02/2017 00:00

Udhëheqësi i partisë opozitare LSDM në Maqedoni, Zoran Zaev i parashtroi presidentit Gjorgje Ivanov argumentet e sigurimit të shumicës parlamentare për krijimin e qeverisë, e pas kësaj, gjatë ditëve të ardhshme kreu i shtetit do të duhet të dalë me një vendim.

Burime nga LSDM për “Radio Evropa e Lirë” thonë se presidenti Ivanov “i premtoi kreut të LSDM-së se, të martën ose të mërkurën do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë”.

Mësohet se ai i ka dorëzuar Ivanovit firmat e 67 deputetëve nga LSDM-ja, BDI-ja, Besa dhe Aleanca e Shqiptarëve. Kjo nënkupton se Zoran Zaev nuk e ka marrë parasysh ofertën e rivalit të tij të madh, Nikola Gruevski, për ta mbështetur në krijimin e një qeverie pakice, nëse do të hiqte dorë nga kërkesat e platformës së Tiranës, që sipas kreut të VMRO-DPMNE-së ka për ta transformuar tërësisht Maqedoninë dhe do të çojnë drejt ndarjes në linja etnike.

Mesazhi i Gruevskit për Zaevin ishte se do të marrë 51 votat e VMRO-së për implementimin e programit të tij politik, e se madje, po të dojë mund edhe ta burgosë, nëse zotohet të mos prekë themelet e shtetit.

“Ne jemi të përgatitur të mbështesim LSDM-në në pushtet, si parti pakice, po rrëzoi ligjin e gjuhës, platformën e Tiranës dhe propozimin për të ripërvijuar e degraduar Maqedoninë. Nëse Zaevi këmbëngul kaq shumë që të jetë shef i ekzekutivit, atëherë do ta lëmë të zbatojë programin e tij, për sa kohë nuk sulmon shtetin dhe interesat kombëtare”, deklaroi Gruevski në një intervistë për televizionin “TV Sitel”.

LSDM-ja arriti javën e kaluar një kompromis me BDI-në dhe partitë e tjera shqiptare për ngritjen e shqipes në statusin e gjuhës zyrtare në të gjithë Maqedoninë, diçka që shkon përtej Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001. Ivanov i ka bërë të qarta prioritetet e tij për ata që do të marrin mandatin e krijimit të ekzekutivit. Ato janë mbrojtja e interesave shtetërore të vendit dhe reformat sistematike pas krizës.

Top Channel