Kosovë, akuzohet për terrorizëm imami Shefqet Krasniqi

27/02/2017 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër të pandehurit Shefqet Krasniqi, për veprat penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, si dhe “shmangia nga tatimi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Krasniqi i ka kryer veprat penale në vazhdimësi gjatë viteve 2011-2016.

“I pandehuri Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe ‘Mehmet Fatih’ në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut, përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet e tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të Kuranit jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët të marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak, e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armike të myslimanëve sunitë, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve të tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, i pandehuri, si tatimpagues dhe pronar i një biznesi, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat përkatëse lidhur me deytimet tatimore, duke iu shmangur atyre në një vlerë të përgjithshme prej mbi 20 mijë euro.

Top Channel