Muri me Meksikën, konkurs idesh për dizajnin e strukturës

27/02/2017 00:00

Ideja e murit në kufi me Meksikën ka nisur të marrë një pamje konkrete, pas vendimit të Agjencisë amerikane të Mbrojtjes Kufitare për të shpallur një vendim mbi dizajnin e strukturës.

Ngritja e murit, një prej zotimeve kryesore të Donald Trumpit gjatë fushatës, pritet të fillojë në muajin prill, ndërsa konkursi i projektideve duhet të shpallet më 6 mars.

Në faqen e internetit “FedBizOpps” sqarohet se, aplikantët duhet të paraqesin koncepte ose prototipe “për projektimin dhe ndërtimin” e murit në afërsi të kufirit. Portali në fjalë përdoret nga qeveria për shpalljen e tenderave dhe konkurseve për kontraktorë të mundshëm.

Përzgjedhja e ideve më të mira duhet të zgjase deri më 20 mars, me qëllimin që në prill të nisë puna, duke i qëndruar kështu njoftimit të Trumpit se ngritja e barrierës kufitare do të nisë përpara afatit.

Një grup aktivistësh meksikanë u përpoqën t’i dërgonin një mesazh shefit të Shtëpisë së Bardhë për murin që ndan dy botë. Në strukturën ekzistuese, ata shkruan “Nuk jemi as kriminelë e as të paligjshëm. Jemi thjesht punëtorë ndërkombëtarë”.

“Vendosëm ta shprehim këtu, në këtë mur, kundërshtinë tonë ndaj politikave raciste të Donald Trumpit kundër njerëzve të botës, e sidomos kundër persekutimit, të cilit po i nënshtrohen vëllezërit tanë meksikanë në anën tjetër të kufirit”, tha Lluvia Rocha, aktiviste.

Që kur bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, 70-vjeçari është shfaqur i palëkundur në linjën e tij të politikës së ashpër për sa i takon fqinjëve jugorë.

Top Channel