NBA, San Antonio mposht Lakersat e Johnsonit

27/02/2017 00:00

San Antonio Spurs pushton “Staples Center”, teksa mposhti Los Angeles Lakers në ndeshjen e radhës në NBA, 119-98.

Kjo ishte ndeshja e parë që skuadra kaliforniane e luajti në parketin e saj, që nga dita kur Magic Johnson u bë pjesë e bordit drejtues të saj.

Për teksanët, kjo është fitorja e 8 radhazi ndaj Lakers dhe ai që spikati më shumë për ta ishte i zakonshmi Leonard me 25 pikë, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre në këtë sukses të Spursave edhe Aldridge e Pau Gasol, që shënuan respektivisht 16 dhe 15 pikë.

Oklahoma City mposhti New Orleans 118-110 për të regjistruar fitoren e saj të 34-t sezonale. Fillimi i sfidës ishte më i mirë për Pelicans, që fitouan periodën e parë 35-32.

Më pas gjithçka foli për Oklahomën, që dominoi 3 periodat e tjera të kësaj sfide. Russell Westbrooke nuk zhgënjeu as këtë radhë, duke e mbyllur sfidën me 41 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 asiste.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Boston fitoi me Destroit 104-98, Toronto mundi Portland 112-106, ndërsa Denver humbi me Memphis Grizzlies me rezultatin 98-105.

Top Channel