Specialisti i kupave, Mourinho numëron trofe në 5 shtete

27/02/2017 00:00

Jose Mourinho vendosi në “palmares”-in e tij një tjetër trofe. Në “Wembley”, skuadra e tij Manchester United mposhti Southamptonin 3-2, duke arritur të ngrejë trofeun e Kupës së Ligës për këtë sezon, për të vendosur edhe një rekord më vete, duke u bërë trajneri që ka mundur të fitojë trofe në 5 shtete të ndryshme.

Përpara “Wembley”-t, Mourinho numëronte 8 finale kupash të fituara, në 10 të tilla në 4 vende të ndryshme. Në Portugali, kur drejtonte Porton, e humbi finalen e kupës ndaj Benficës 2-1 në vitin 2004, ndërsa finalja e dytë e humbur është ajo e vitit 2013, në Kupën e Mbretit në Spanjë, ndaj Atletico Madrid.

Mourinho, gjatë të gjithë karrierës së tij ka përjetuar 25 finale në të gjitha aktivitetet, nga të cilat ka fituar 16.

“Shpresoj që të fitoj më shumë trofe me Manchester United. E di që këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, por ne do të përpiqemi”, tha Mourinho.

Për më tepër, Mourinho ka një rekord tjetër në Angli, ku ka fituar në të pesta herët që skuadrat e tij kanë luajtur një finale; 4 me Chelsea dhe një me Man. United.

Duke parë që titulli kampion në “Premier League” është pothuajse një mision i pamundur, për “djajtë e kuq” dhe Mourinhon objektivat janë sukseset në “FA Cup” dhe “Europa League”.

Top Channel