Gjermani, mbi 3.500 sulme ndaj emigrantëve gjatë 2016-s

27/02/2017 00:00

Ndjesitë kundër emigrantëve janë shtuar ndjeshëm në Gjermani, e kjo provohet me rastet e shumta të dhunës.

Gjatë vitit 2016, autoritetet kanë regjistruar 3.533 sulme gjithsej ndaj azilkërkuesve dhe qendrave të strehimit të refugjatëve.

Siç raporton “Deutsche Welle”, rreth 560 vetë janë plagosur në sulme, ndër të cilët 43 fëmijë. Të dhënat zbulohen në përgjigjen që i ka kthyer qeveria gjermane, kërkesës së partisë “E majta” lidhur me disa njoftime të botuara në shtyp.

Ministria e Brendshme e dënoi “me forcë”, – në letrën e saj, – dhunën ndaj refugjatëve dhe vuri në dukje se këto janë shifra paraprake. Lidhur me autorët e dyshuar të akteve të dhunës nuk u dhanë detaje.

Zëdhënësja e partisë “E majta”, Ulla Jelpke bëri thirrje për më shumë angazhim në luftën kundër dhunës ndaj refugjatëve.

“Nuk duhet të vdesë dikush, përpara se aktet e dhunës së ekstremistëve të djathtë të konsiderohen si një problem qendror i sigurisë së brendshme dhe të vihen në krye të axhendës së politikës së brendshme”, tha politikania e majtë.

Jelpke theksoi se qeveria gjermane duhet të heqë dorë nga ashpërsimi i ligjeve për azilin, diçka që krijon përshtypjen se refugjatët përbëjnë një kërcënim. Sipas saj, rreziku i vërtetë “për refugjatët dhe për demokracinë e vendit janë nazistët”.

Top Channel