Shtypi i Barcelonës flet për “vjedhje” të Realit

27/02/2017 10:00

Shtypi i Barcelonës është gdhirë sot i indinjuar për vendimet e arbitrit Jesus Gil Manzano në ndeshjen mes Villarreal dhe Real Madrid. Të përditshmet katalanase shkruajnë se skuadra e tyre e bëri detyrën duke fituar ndaj Atletico Madrid, por kjo nuk shërbeu për të marrë kryesimin, pasi Reali fitoi me përmbysje.

“L’ Esportiu” hapet me titullin “Kundër të gjithëve” dhe nënvizon se skuadra madrilene u favorizua nga arbitri. “Barcelona doli më e fortë nga “Vicente Calderon”, por nuk mori vendin e parë, pasi Reali përmbysi rezultatin falë ndihmës së arbitrit”, shkruan gazeta duke iu referuar 11-metërshit që lejoi Cristiano Ronaldon të barazonte rezultatin në 2-2.

“Mundo Deportivo”, nga ana e tij, hapet me titullin “Goditje ndaj kampionatit”, duke shpjeguar se arbitri Gil Manzano është shkaku që katalanasit nuk fjetën në vend të parë.

Në fund, “Sport” flet për “Përmbysje me vjedhje”, duke iu referuar fitores 3-2 që arriti Reali i Madridit në transfertën e vështirë ndaj Villarrealit.

Top Channel