Gafa historike në Oscar, shpallet më i miri filmi i gabuar

27/02/2017 00:00

Nata e sivjetshme e Oscar, e transmetuar në Top Channel, u shenjua nga një gabim i paprecedent në historinë e këtij eventi.

I takoi dy yjeve të Bonnie dhe Clyde, Faye Dunaway e Warren Beaty të njoftonin fituesin e madh të Academy Awards dhe ata shpallën triumfin e shumëpritur të “La la Land”. Vetëm se lexuan zarfin e gabuar….

Producentët e muzikalit ishin ngjitur në skenë dhe e kishin nisur fjalimin e falenderimeve, kur u ndërprenë me njoftimin se dikush tjetër ishte fituesi i vërtetë.

Ngritja në një piedestal të tillë e filmit me buxhet të ulët ishte një surprizë edhe për vetë regjisorin Barry Jenkins, i cili nuk po arrinte dot ta besonte. Vetë producenti i “La La Land”, Jordan Horowitz u detyrua të këmbëngulte se nuk ishte një lojë.

Kjo nuk është një shaka, u shpreh ai, filmi më i mirë është vërtetë “Moonlight” dhe i tregoi kamerës letrën ku shkruhej emri i fituesit. Warren Beaty sqaroi se në zarfin që u kishin dhënë në dorë shkruhej “Emma Stone, La La Land”, ndaj ishte bërë gabimi.

Prezantuesi Jimmy Kimmel u përpoq t’i jepte tone gazmore rrëmujës, duke thënë se fajësonte Steve Harvey për situatën e krijuar. Harvey bëri bujë në vitin 2015, kur ngatërroi emrin e fitueses së Miss Universe.

Muzikali i shumëkuotuar “La La Land” doli nga ceremonia me 6 statueta të arta, përfshirë atë të regjisorit më të mirë dhe aktores më të mirë protagoniste. Damien Chazelle u bë kështu regjisori më i ri që fiton një Oscar, në moshën 32-vjeçare.

“Moonlight” mori edhe një çmim për skenarin e përshtatur më të mirë dhe aktorin më të mirë joprotagonist.

Top Channel