Zbardhet autopsia, ja çfarë e vrau Kim Jong nam

26/02/2017 00:00

Rezultatet e autopsisë tregojnë se Kim Jong nam, vëllai nga babai i liderit të Koresë se Veriut Kim Jong un, vdiq 20 minuta pas i hodhën në fytyrë agjentin vdekjeprures nervor VX.

“Momentet e tij të fundit duhet te kene qene tejet te dhimbshme”, tha ministri malajzian i shëndetësisë Dr. Subramaniam Sathasivam. Kim Jong nam ndërroi jetë në autoambulance, rrugës për në spital.

“Ai vdiq brenda autoambulancës, ndërkohë që përpara se ta vendosnin aty i kishte rënë të fikët në klinikë. Mendoj se nga momenti që e kane spërkatur me substancën e rrezikshme, duhet të kenë kaluar e shumta 15 apo 20 minuta”, u shpreh Subramaniam Sathasivam, ministri Shëndetësisë në Malajzi.

Njëra prej dy grave të arrestuara për vdekjen e tij, indoneziania Siti Aisyah citohet të ketë thënë se mendonte që ishte e gjitha një loje dhe se substanca e përdorur kundër 45 vjeçarit, ka qenë vaj për bebe.

Edhe halla e Aisyah këmbëngul se mbesa e saj ishte punësuar si “komediane” që tallej me të huajt të cilëve u hidhte në fytyrë e trup locione ose lëng domatesh.

Në media, vdekja e nam është interpretuar gjerësisht si vepër e dy agjentëve koreano-veriore.

Zyrtarët e shtetit komunist tentuan ta ndalonin kryerjen e autopsisë, por autoritetet malajziane i kundërshtuan përpjekjet e tyre. Për kritikët e regjimit, ky është një argument me shume se Koreja e Veriut është një shtet mafioz, i cili vepron jashtë kornizës ligjore, eliminon pa mëshirë armiqtë e saj dhe varet nga bizneset kriminale për mbijetesë.

Top Channel