Vrasja e liderit të opozitës ruse, marshim përkujtimor në Moskë

26/02/2017 00:00

Lideri opozitar rus, Boris Nemtsov u kujtua me një marshim në zemër të Moskës 2 vjet pasi u qëllua për vdekje fare pranë Kremlinit.

Nemtsov, një politikan reformat dhe ish-zv/kryeministër në kohën e Boris Jelcinit, ishte një kritik i egër i Vladimir Putinit. 5 çeçenet e nxjerrë përpara gjyqit për vrasjen e tij i mohojne akuzat, ndërsa të afërmit e kreut të eliminuar të opozitës druhen se nuk do të mësohet kurrë publikisht se kush e urdhëroi vrasjen e tij.

Boris Nemtsov u qëllua pas shpine shkurtin e 2015-tës ndërsa kthehej në shtëpi nga restoranti ku kishte darkuar me të dashurën e tij ukrainase.

Disa ore përpara se plumbat t’i përshkonin trupin, kishte qenë ne stacionin radiofonik  Ekho Moskvy, ku i kishte kërkuar dëgjuesve t’i bashkoheshin protestës së organizuar në fundjavë. Apeli i tij përmbante edhe akuza ndaj presidentit Putin për nisjen e një lufte të paligjshme në Ukrainë, e cila kishte sjellë sanksionet e perëndimit e për rrjedhojë, edhe krizën ekonomike në vend.

Nemtsov kishte ndërmend të publikonte edhe një dosje me të dhëna mbi përfshirjen ruse në Ukrainën lindore. Dhjetëra mijëra vetë marshuan në Moskë dy ditë pas vdekjes se tij e mijëra të tjerë morën pjesë në funeral.

Ka pasur një sere vrasjesh të profilit të lartë në Rusi. Viktimat e tyre kanë qenë politikane e gazetarë, por ndërsa opinionit i janë servirur proceset gjyqësore të ekzekutorëve, asnjëherë nuk është gjurmuar zinxhiri i komandës për të gjetur se kush ishte urdhëruesi i vrasjeve.

Top Channel