Konflikt i ri Bosnjë-Serbi; Sarajeva, padi në Hagë për krimet e luftës

26/02/2017 00:00

Sarajeva ka bërë gati padinë kundër Serbisë për rishikim të rolit të saj në luftë. Një pjesë e politikës në Bosnje beson se ka të drejtë, pasi ka fakte të reja. Por serbët e Bosnjës besojnë se kjo është vetëm një urrejtje që rrënon marrëdhëniet.

Reagimet e Serbisë dhe serbëve kanë qenë të ashpra. Banja Luka, kryeqendra e serbëve të Bosnjes ka përgatitur një ekip ekspertësh kundër padisë së shtetit të tyre.

“Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiç dhe Nikoliç po shfaqet si një vend i stabilitetit në rajon. Kjo është një përpjekje për ta vënë në pikëpyetje pozitën e saj”, tha Milorad Dodik, President i “Republikës Serbe”.

Nemanja Stepanoviç ka vëzhguar gjykimet ndërkombëtare në Hagë. Ai thotë se kjo situatë tregon se gjërat nuk kanë lëvizur shumë që nga fillimi i paqes.

“Nuk e dimë se çfarë dëshmish të reja ka. Është keq për viktimat e Srebrenicës nëse nuk ka dëshmi, pasi Gjykata nuk kërkon çfarëdolloj dëshmie, por ato vendimtare për të ndryshuar një vendim”, tha Nemanja Stepanoviç, nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Serbia nuk ka bërë shumë për përballjen me të kaluarën. Fjala gjenocid është e ndaluar dhe nuk përdoret këtu. Nuk merren parasysh as vendimet e gjykatës ndërkombëtare. Përmasat e këtyre krimeve në çdo fushë zvogëlohen”, tha më tej Nemanja Stepanoviç.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bëri homazhe në Srebrenicë, por u sulmua me gurë.

Serbia dhe Bosnja kanë qenë dy herë në gjyq. Pavarësisht se Serbia nuk u fajësua kurrë, Gjykata Ndërkombëtare vulosi emrin gjenocid mbi masakrën e Srebrenicës dhe luftën e Bosnjës. Akuza të tilla kanë pasur edhe Kroacia dhe Serbia kundër njëra-tjetrës, që pas arritjes së paqes së brishtë.

Top Channel