“Haradinaj” dhe “Demarkacioni”, në Këshillin e Sigurimit

26/02/2017 00:00

Përkushtimi i Serbisë dhe i Kosovës për përparimin e dialogut është i dobët dhe humbja e momentit rrit rrezikun që në procesin e normalizimit të ketë ngecje.

Kështu vlerësohet në raportin e ri për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ndërsa u bëhet thirrje udhëheqësve të të dyja palëve që të përmbahen nga retorikat nxitëse.

Raportin që përfshin periudhën nga 16 tetori 2016 deri më 15 janar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta shqyrtojë të hënën e 27 shkurtit.

Në raport thuhet se gjatë kësaj periudhe, tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur “nivelin e shqetësimit”, gjë që është treguar në retorikën nxitëse dhe akuzat në lidhje me çështjet dhe ngjarjet kontestuese.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara thekson se nuk është arritur përparim i qartë kur bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në raport bëhet thirrje edhe për implementimin e marrëveshjeve të tjera të arritura deri më tani, siç është rasti i lëvizjes së lirë të automjeteve në të dyja vendet. Po ashtu, aty përmendet edhe largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, si dhe shembja e murit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Megjithatë, vlerësohet se nuk ka tensione ndërmjet bashkësive etnike në veri të Mitrovicës. Përveç të tjerave, në raport përmendet edhe arrestimi i udhëheqësit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua më 4 janar në Francë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

“Arrestimi i Haradinajt, ish-kryeministër i Kosovës, nxiti reagime të shumta si nga krerët politikë dhe institucionalë të Kosovës, ashtu dhe nga opinioni i gjerë kosovar”, thuhet në raport.

Më tej përmendet edhe provokimi i Serbisë me trenin, i cili mbante ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

“Policia e Kosovës vendosi njësinë speciale dhe automjete të rënda për ndalur këtë tren, kurse politikanët nga të dyja anët akuzuan njëri-tjetrin për nxitje”, vlerëson sekretari i OKB-së.

Edhe demarkacioni me Malin e Zi është përmendur në raport, duke u fokusuar te tensionet ndërmjet partive opozitare dhe atyre në pushtet. Aty thuhet se bllokimi nga opozita ka penguar përparimin në shumë çështje sa i përket të drejtave të njeriut, arritjen e qëllimeve qeveritare, duke përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Ky është raporti i parë për Kosovën i Sekretarit të ri të OKB-së, Antonio Guterrez, i cili nga 1 janari ka zëvendësuar në këtë detyrë koreano-jugorin Ban Ki-moon.

Top Channel